Spalletti: Pastore e Mkhitaryan? Nuk kemi 40 mln euro

40
SHARE

Ndërsa tifozët e Interit numërojnë ditët që nga fitorja e fundit në kampionat kundër Chievos, plot një muaj më parë, trajneri Spalletti duket i qetë dhe beson se skuadra ka forcë që të rikthehet në formën e saj më të mirë.

Por shumë mezi kanë pritur muajin janar, me shpresën që investitorët kinezë të hapin portofolin për ndonjë përforcim, duke patur parasysh që organika rrudhet shpejt, pas një dëmtimi apo skualifikimi të futbollistëve.

Dhe prej ditësh Interi lidhet me emrat e argjentinasit Pastore të PSG, që ka kërkuar një tjetër skuadër, si edhe Mkhitaryan nga Manchester United.

Mediat italiane zbuluan madje edhe një takim në ditët e para të vitit të trajnerit me dy njerëzit e merkatos, Sabatini dhe Ausilio, por duket se nuk ka shenja për përforcime.

“Duhen 40 milionë euro për të blerë Pastoren dhe Mkhitaryan. Nuk i kemi dhe e kotë që të shikojmë për emra të tjerë. Duhet ti bëjmë mirë llogaritë, si ne edhe të tjerët”, tha Spalletti në konferencën për shtyp përpara transfertës me Fiorentinën.

Trajneri zikaltër bëri edhe bilanc të skuadrës për këtë pjesë të parë të sezonit, ku u shpreh se ata janë brenda objektivave. “Kemi punuar sipas objektivit. E dimë mirë se çfarë kërkojmë. Në futboll nuk mund të parashikosh se çfarë do të ndodhë, por ne duhet të jemi gati për të rritur kualitetin e futbollistëve. Fillimisht duhet të jenë mirë nga ana mentale dhe më pas nga ajo fizike”, tha Spalletti./TopChannel/