Rikthimet më të mëdha në Kampionate Botërore

31
SHARE

Një rikthim në kohë në ndeshjet më të çmendura në historinë e Botërorëve.

Mbrëmë Belgjika dhe Japonia, kanë zhvilluar njërën prej ndeshjeve më të bukura të Botërorit, ku në fund kombëtarja evropiane arriti të fitonte 3-2.

Por rrugëtimi i belgëve ishte shumë i vështirë pasi në pjesën e dytë ata u gjendën në disavantazh prej dy golash, por me vendosmërinë dhe dëshirën për fitore arritën që fillimisht të barazonin, kurse në minutën e 94-të realizuan golin e fitores.

Në historinë e Kampionateve Botërore ka pasur shumë ndeshje të tilla, kur janë kthyer rezultatet. Të shohim cilat janë këto ndeshje:

Portugalia – Koreja e Veriut, 1966

Çerekfinalja e Botërorit 1966 që mbahej në Angli. Koreja e Veriut kishte befasuar portugezët duke avancuar 3-0 pas 25 minutash lojë. Por Portugalia e prirë nga legjenda Eusebio me dy gola të shpejtë, ia doli që të zbuste në 3-2 disavantazhin qysh në pjesën e parë. Edhe në 45 minutuat e dyta ishte Eusebio me dy gola të tjerë që kaloi në epërsi Portugalinë, kurse rezultatin përfundimtar 5-3 e vulosi Jose Agusto.

Gjermania – Anglia, 1970

Botërori i vitit 1970 i mbajtur në Meksikë. Anglia vinte si kampione aktuale e Botës, ku kishte mposhtur pikërisht Gjermaninë në finale. Gjermanët ia dolën që të hakmerreshin, madje duke rikthyer disavantazhin prej dy golash. Franz Beckenbauer (68’) dhe Uwe Seeler (76’), e çuan lojën në vazhdime. Në kohën shtesë, golashënuesi më i mirë i atij Botërori, Gerd Muller (10 gola), kaloi në epërsi gjermanët 3-2, që më pas u kualifikuan tutje.

Gjermania – Hungaria, 1954

Në Botërorin e 1954 të organizuar nga Zvicra, gjermanët do të ndesheshin me favoritin e atij turneu, Hungarinë. Ishin hungarezët që vetëm pas tetë minutash lojë, kryesonin 2-0, por dy gola të shpejtë të gjermanëve, në minutat 10’ dhe 18’, barazuan rezultatin. Gjashtë minuta para përfundimit të takimit, Gjermania realizonte edhe njëherë për fitoren 3-2 dhe titullin e parë të kampionit të Botës në histori të këtij shteti.

Gjermania – Franca, 1982

Është përsëri Gjermania. Shpirti luftarak që i bënë të dallohen nga të tjerët, edhe në Botërorin e vitit 1982 të mbajtur në Spanjë, ka sjellur njërën prej ndeshjeve më interesante në histori, ku sërish protagonist ishin gjermanët. Koha e rregullt kishte përfunduar 1-1, kurse në vazhdime, Franca kishte realizuar dy gola të shpejtë për të avancuar 3-1. Por në vazhdimin e dytë, gjermanët ishin rikthyer edhe njëherë duke realizuar dy gola, për ta çuar ndeshjen në penallti. Pas ekzekutimit të 11-metërshave, Gjermania kishte kaluar tutje.