PSD: Samiti i Berlinit – një hap përpara drejt arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë

24
SHARE

Samiti që mblodhi krerët e shteteve të rajonit bashkë me Kancelaren gjermane Angela Merkel, dhe Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, ishte dëshmi e një intensifikimi të ri të përpjekjeve të vendeve kryesore të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Kështu ka konstatuar PSD-ja përmes një komunikate dërguar mediave, ku ndër të tjera thotë se edhe përkundër mungesës së rezultateve, ky Samit e dëshmoi një gjë: për Berlinin dhe Parisin (sikur edhe për Washingtonin gjë kjo e dëshmuar më herët) arritja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë është prioritet rajonal.

PSD mirëpret këtë angazhim dhe vullnet të vendeve mike të Kosovës dhe thotë se ky përqendrim i shikimit kah rajoni dhe marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë paraqet një momentum të rëndësishëm në këtë proces, drejt përmbylljes së plotë të dialogut të stërzgjatur Kosovë Serbi me një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Për ne, siç është përcaktuar edhe në Platformën shtetërore të Republikës së Kosovës, marrëveshja obligativisht duhet ta përmbajë njohjen nga Serbia, si parakusht i çfarëdo normalizimi të marrëdhënieve. Njohja duhet të jetë eksplicite dhe formale, duke garantuar pacenueshmërinë e kushtetutshmërisë, sovranitetit, dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Çfarëdo aranzhimi që bie ndesh me këto parime bazë e thellojnë tutje etnizimin e politikës në Repbulikën e Kosovës duke e cenuar parimin e barazisë së qytetarëve dhe funksionalitetin e Republikës në funksion të mirëqenies së qytetarëve”, deklaron kjo parti.

PSD-ja thotë se nuk mund të ketë marrëveshje tjetër e cila nuk e përmban dispozitën e njohjes meqë çkado tjetër poshtë saj, siç është dëshmuar edhe në këtë proces të stërzgjatur, është më shumë spostim i problemit se sa zgjidhje e tij.

“Njohja eksplicite dhe formale e shtetësisë së Republikës së Kosovës i hap rrugë zgjidhjes së shumë çështjeve tjera që Kuvendi i Republikës së Kosovës i ka identifikuar si çështje të hapura mes Kosovës e Serbisë. Në këtë drejtim me deklarimet e mëhershme të përfaqësuesve të vendeve me ndikim në rajon (ShBA, BE, etj.) paraqesin hapa të rëndësishëm para drejt formatizimit të dialogut ashtu siç e kërkon Platforma shtetërore, si Dialog për Normalizim përmes Njohjes. Kthim nga kjo pikë nuk mund të ketë”, thotë PSD.

Partia Socialdemokrate thotë se uniteti i brendshëm i forcave politike në këtë drejtim është jetik për të ardhmen e Kosovës dhe se kushdo që e përfaqëson Republikën e Kosovës, dhe nuk i përmbahet parimeve udhërrëfyese të Platformës shtetërore, “e dëmton mundësinë e koncensualitetit politik e shoqëror për Dialogun, dhe (edhe) kështu dëmton interesin e Republikës së Kosovës”.