Komuna e Prizrenit merr një vendim të rëndësishëm

239
SHARE

Komuna e Prizrenit ka marrë vendim që nga sot e tutje të bëjë mbulimin e të gjitha shpenzimeve të varrimit për banorët e kësaj komune, shkruan Insajderi.

Përpos kësaj, në bashkëpunim me bashkësitë fetare dhe kompaninë rajonale “Ekoregjioni”, do t’i ofrojë edhe shërbimet e varrimit për të gjithë banorët e komunës.

Lidhur me këtë, sot në konferencë për shtyp folën drejtori i drejtorisë së shërbimeve publike, Levent Kasemi dhe drejtori i drejtorisë së punës dhe mirëqenies sociale, Fejzë Kabashi, të cilët dhanë informacione të detajuara për ta njoftuar opinionin publik rreth kësaj çështjeje.

“Familjarët që kanë pasur rast vdekje, deri më tani kanë përfituar vetëm financiarisht me anë të subvencionimit për mbulimin e shpenzimeve të varrimit nga Komuna e Prizrenit, ndërsa tani e tutje përveç mbështetjes financiare me marrëveshjen e nënshkruar mes Kryetarit të Komunës dhe kompanisë Ekoregjioni, do të ofrohen edhe shërbimet duke përfshirë varrimin sipas ritualeve fetare, pa pasur nevojë të kenë obligime shtesë familjarët e të ndjerit”, u tha nga komuna.

“E gjitha që duhet të bëhet nga familjarët është që në momentin kur ka rast vdekje të jepet njoftimi në numrin e telefonit +383 49 305 050 për të treguar adresën dhe kohën se kur duhet të bëhet varrimi i të ndjerit. Përveç kësaj, Komuna e Prizrenit ka nënshkruar marrëveshje me Ekoregjionin edhe për mirëmbajtjen e të gjitha varrezave në territorin e komunës së Prizrenit. Sipas kësaj marrëveshjeje, do të bëhet pastrimi dy herë në vit i hapësirave të varrezave, duke për fshirë kositjen, largimin e shkurreve dhe krasitjen e drurëve”, thuhet tutje në komunikatën e komunës.