De Jong zbulon prapaskenat: Ja dy klubet e mëdha, që refuzova për Barçën

676
SHARE

Ylli i Barcelonës, Frenkie de Jong, zbuloi se ishte duke folur me PSG-në dhe trajnerin e Manchester City, Pep Guardiola, para se të vendoste për t’u transferuar te kampionët e La Liga-s, veprim që u zyrtarizua dje.

Barcelona njoftoi nënshkrimin e talentit të Ajax dhe kombëtares holandeze, De Jong, për shumën fillestare të 75 milionë eurove. Mesfushori i shumëkërkuar nga klubet më të mëdha europiane do t’iu bashkohet katalanasve në bazë të një marrëveshjeje 5-vjeçare, përpara sezonit 2019-2020.

De Jong do të qëndrojë tek Ajax për pjesën e mbetur të këtij sezoni, në “Eredivisie”. 21-vjeçari pranon se ishte në bisedime intensive me kampionët e Ligue 1 dhe ata të Premier League, para se të vendoste për Barçën.

“Unë jam i lumtur, krenar dhe gjithashtu i lehtësuar tani, pas ditësh të ngarkuara me bisedime dhe negociata, – tha De Jong për NOS. – Kam folur me PSG-në, por i thashë ditët e fundit Maxwell se nuk do të bashkohesha me të. Agjenti im ka informuar PSG-në. 

https://twitter.com/i/status/1088142893469102080

Kam folur, gjithashtu, me Guardiolën për një lëvizje te Manchester City. Klubet po përpiqeshin të më bindnin se më duan. Jam i lumtur dhe krenar, që ato kanë bërë kaq shumë për të më marrë në radhët e tyre.

Barcelona më ka kërkuar për një kohë të gjatë, ajo u përpoq për të nënshkruar që vitin e kaluar, por, gjithashtu, ka gjendjen e saj financiare, nuk mund të shpenzojë shumë para”.

De Jong e ka ndihmuar Ajaxin të arrijë në 16-she të Ligës së Kampionëve, me Real madridin kundërshtar të radhës në këtë kompeticion. Ai ka shënuar tre gola dhe ka dhënë po kaq asiste për Ajax, në “Eredivisie”, këtë sezon. De Jong bëhet nënshkrim i tretë kryesor i Barcelonës në merkaton e dimrit, pas ardhjes në formë huazimi të Jeison Murillo (Valencia) dhe Kevin-Prince Boateng (Sassuolo).