Çfarë është Liga e Kombeve? Si funksionon formati i saj?

231
SHARE

Turneu i ri i UEFA-s, Liga e Kombeve, nis këtë javë, me Kosovën që synon ta sigurojë kualifikimin në Kampionatin Evropian 2020 përmes kësaj rruge.

Liga e Kombeve e UEFA-s është turne i ri ndërkombëtar në të cilin kombet evropiane garojnë në një format lige për të pasur mundësinë të luajnë në “Final Four” verën e vitit 2019, ku fituesi do të shpallet kampion i Ligës së Kombeve, transmeton Gazeta Express.

Çfarë është Liga e Kombeve?

Ky turne përfshinë të gjitha 55 shtetet anëtare të UEFA-s dhe për qëllim e ka zëvendësimin e ndeshjeve të pakuptimta miqësore me një turne garues.

Kur mbahet turne i parë i Ligës së Kombeve?

Turne nis në shtator dhe mbahet edhe gjatë tetorit dhe nëntorit. Play-off dhe finalet luhen në qershor të vitit 2019.

Kundër kujt do të luajë Kosova në Ligën e Kombeve?

Kosova do të luajë në nivelin më të ulët, pra në Ligën D, dhe për kundërshtarë në Grupin 3 do t’i ketë Azerbajxhanin, Ishujt Faroe dhe Maltën.

Ndeshjen hapëse Kosova do ta zhvillojë ndaj Azerbajxhanit më 7 shtator në Baku, para se t’i mirëpresë Ishujt Faroe në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, tri ditë më pas, të hënën më 10 shtator. Më pas, Kosova do të luajë në udhëtim ndaj Maltës.

Cili është formati i këtij turneu?

Pesëdhjetë e pesë kombëtaret janë ndarë në tri liga, bazuar në renditjen e tyre aktuale në UEFA, ndërsa secila ligë është ndarë në katër nivele – A, B, C dhe D – të cilat përbëhen nga tri apo katër ekipe. Ekipet e secilës ligë do të luajnë ndaj njëra-tjetrës në shtëpi dhe udhëtim mes muajve shtator dhe nëntor.

Ekipet që përfundojnë në krye të grupit të vet përkatës promovohen një ligë më lartë, ndërsa ekipet që përfundojnë në fund të grupeve të tyre përkatëse do të bien një ligë më poshtë, përveç ato të nivelit më të ulët, pra Ligës D (ku bën pjesë edhe Kosova).

Katër ekipet që i fitojnë grupet e tyre në Ligën A, do të kualifikohen për Final Four në qershor 2019, kur edhe gjysmëfinalet, finalja dhe play-offi për vendin e tretë do ta vendosë kampionin e Ligës së Kombeve. Njëra nga këto katër ekipe do të veprojë si nikoqire e kësaj ngjarjeje – vendimi për këtë merret në dhjetor, transmeton Express.

A do të ketë kualifikime të rregullta për Kampionatin Evropian 2020?

Po, natyrisht. Shorti për kualifikimet për EURO 2020 do të mbahet në dhjetor në Dublin, ndërsa ndeshjet kualifikuese do të luhen nga marsi deri në nëntor 2019.

Dy ekipet e para nga secili prej 10 grupeve në kualifikime do ta sigurojnë automatikisht biletën për EURO 2020.

Pra, përmes kualifikimeve vendin në Kampionatin e ardhshëm Evropian do ta sigurojnë plot 20 Kombëtare.

Kjo nënkupton se katër vendet e mbetura do të vendosen përmes Ligës së Kombeve, transmeton Express.

Pra, Liga e Kombeve mund të jetë një tjetër rrugë për ta siguruar kualifikimin në EURO 2020?

Po, patjetër. Katër fituesin e grupeve nga secila ligë – A, B, C dhe D, pra 16 ekipe në përgjithësi – do të luajnë në play-off në mars të vitit 2020, në përpjekje për ta siguruar njërin nga katër vendet e mbetura.

Formati do të jetë një ndeshje gjysmëfinale e ndjekur nga një finale, për secilën ligë, dhe kështu fituesi i secilës ligë A, B, C dhe D e fiton një vend në EURO 2020.

Nëse një vend e ka siguruar tashmë kualifikimin përmes rrugës tradicionale, atëherë vendi i tij do t’i takojë ekipit tjetër të renditur më së larti në ligën e tyre përkatëse. /Gazeta Express