​Presidenti i Liberisë luan në ndeshjen miqësore kundër Nigerisë

38
SHARE

Presidenti i Liberisë dhe ish-futbollisti më i mirë në botë në vitin 1995, George Weah, u rikthye futboll në ndeshjes e vendit të tij kundër Nigerisë, të cilën e humbën me rezultat 2-1. Në ndeshjen që u zhvillua dje, Weah luajti për 78 minuta.

Liberia e kishte organizuar këtë ndeshje miqësore për nder të presidentit, me qëllim që ta pensionojnë fanellën me numër 14 në Kombëtaren e Liberisë, të cilën e kishte bërë të famshme Weah gjatë karrierës së tij, transmeton Gazeta Express.

Por, tifozët nuk e kishin pritur këtë gjë dhe ishin habitur kur ish-sulmuesi hyri në fushe me fanellën me numër 14. 51-vjeçari ishte pensionuar para 16 viteve, kur e kishte bërë paraqitjen e tij të fundit në një ndeshje zyrtare me karakter garues.

Mediat raportojnë se Weah, i cili e drejtoi sulmin, i shfaqi disa nga aftësitë e tij në futboll, të cilat e kishin bërë fillimisht të famshëm atë. Për këtë arsye, kur u zëvendësua në minutën e 79-të, ai u duartrokit nga të gjithë tifozët në stadium

Golat nga Henry Onyekuru dhe Simeon Nwankwo i ndihmuan Nigerisë të shkonte në epërsi prej dy golash, por më vonë nikoqirët arritën ta shënojnë një gol nga pika e penalltisë, përmes gjuajtjes së Kpah Sherman.

Weah kishte qenë shumë i suksesshëm gjatë karrierës së tij si futbollist për një dekadë e gjysmë. Gjatë kësaj kohe, ai kishte luajtur në Milan, Manchester City, Chelsea, Monaco, Paris Saint-Germain dhe Marseille.

Në vitin 1995, ai u shpërblye me çmimin për lojtarin më të mirë të vitit në botë, si dhe e fitoi Topin e Artë po atë vit. Ai mbetet afrikani i vetëm që i ka fituar këto dy çmime.

Popullariteti i tij gjatë karrierës si futbollist i ndihmoi atij të tregohet i suksesshëm në zgjedhjet presidenciale të Liberisë në dhjetor të vitit të kaluar. /Gazeta Express