Veturat e pasiguruara thuhet se po e vështirësojnë anëtarësimin në Kartonin e Gjelbër

8
SHARE

Mbi 7 milionë euro, Byroja Kosovare e Sigurimeve grumbullon pothuajse çdo vit nga tarifat e sigurimeve kufitare.

Megjithatë, shuma që ky institucion paguan për dëmet e shkaktuara nga aksidentet është pothuajse e njëjtë, raporton KTV.

Të hyrat ishin të njëjta edhe në vitin e kaluar, përderisa vlera e dëmeve ishte 6 milionë.

Një nga faktorët e numrit të madh të pagesave është edhe numri madh i veturave të pasiguruara.

“Kosova e ka të nevojshme uljen e numrit të automjeteve pa sigurim. BKS-ja dhe Industria e Sigurimeve ka bërë përpjekje të vazhdueshme për senzibilizimin institucional dhe të publikut, për rëndësinë e uljes së numrit të automjeteve të paregjistruara. MPB/Drejtoria e Policisë Rrugore do të duhej t’i përdornin mekanizmat e përcaktuara bazuar në Ligjin mbi Trafikun Rrugor lidhur me mosregjistrimin e automjeteve dhe, gjithashtu, Gjykatat e Kosovës do të duhej t’i shpejtojnë procedurat ligjore mbi shkaktarët e këtyre aksidenteve dhe të mos e prolongojnë procedimin e tyre, pasi përkatësisht edhe kjo po ndikon në rritjen e numrit të automjeteve pa sigurim”, thuhet në përgjigjen e BKS-së.

Nga ana tjetër, ekspertë të komunikacionit thonë se për sigurimin e Kartonit të Gjelbër, vendi duhet ta zvogëlojë numrin e automjeteve të paregjistruara në 5%.

Kosova ka bërë përpjekje për ta marrë Kartonin e Gjelbër që nga viti 2011.

Së fundi, Banka Qendrore e Kosovës dhe Komisioni për Buxhet kishin bërë përpjekje për ta arritur këtë qëllim përmes Austrisë apo Sllovenisë, mirëpo të dyja vendet ishin tërhequr për shkak të numrit të madh të automjeteve të pasiguruara.