Shtatori shkund premtimin për viza

17
SHARE

Premtimi i kryeministrit Ramush Haradinaj se heqja e vizave me BE-në do të ndodhë në shtator të këtij viti do të bjerë në tokë bashkë me gjethet e pemëve në vjeshtë.

Një premtim i tillë është bërë nga të gjithë kryeministrat e vendit gjatë dekadës së fundit, por nuk është realizuar asnjëherë.

Premtimi i kryeministrit Ramush Haradinaj se liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian do të ndodhë në shtator të këtij viti i ka gjasat e barabarta me zero që të realizohet, pasi vendi në atë kohë pritet të jetë në mes të fushatës zgjedhore pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, e cila pritet të ndodhë më 22 gusht 2019, ndërsa çështja e vizave nuk do të futet as në rend dite në institucionet vendimmarrëse të BE-së në shtator.

Derisa deputetët e pozitës ankohen se BE-ja po tregohet e padrejtë ndaj çështjes së vizave për Kosovën, ata nga radhët e opozitës thonë se të gjithë liderët deri më tani i kanë gënjyer vazhdimisht qytetarët e vendit për çështjen e liberalizimit të vizave , shkruan “Zëri”. Në anën tjetër, njohësit e çështjeve integruese vlerësojnë se heqja e vizave është në pikëpyetje edhe për vitin 2020, përderisa nuk ekziston kurrfarë mundësie që një gjë e tillë të ndodhë sivjet.