Shqipëria e Maqedonia V. refuzohen nga KE, Franca, Holanda e Danimarka ishin kundër

7
SHARE

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të presin ende për aspiratën e tyre evropiane.

Kjo pasi që Këshilli Evropian nuk arriti të marrë vendim pozitiv për hapjen e negociatave për të dyja vendet, pas refuzimit të Francës.

Komisionari për Zgjerim, Johannes Hahn, ka thënë se udhëheqësit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dështuan të ishin në lartësinë e angazhimit të tyre për t’i hapur bisedimet, raporton KTV.

Ndërsa presidenti i Francës, Emmanuel Macron, thotë se përparimet e bëra nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë mjaftuar për t’i hapur negociatat.

Në një konferencë pas përfundimit të samitit, Macroni tha se ka shumë probleme me çështjen e emigracionit të paligjshëm.

“E pranoj se në Samitin e BE-së ka pasur shumicë të qartë për nisjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut, por jo edhe për Shqipërinë. Ne kemi qenë kundër ndarjes së vendimit për të dy vendet, ngase do të kishte lëvizje të dhunshme te shqiptarët.”

Ndërsa kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se çështja e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të rikthehet në pranverën e vitit të ardhshëm.

“Dëshpëruese që negociatat mos të hapen për të dyja vendet. Kemi punuar në favor të hapjes së negociatave, por tre vende, Franca, Holanda dhe Danimarka, janë kundër. Kemi rënë dakord për disa gjëra që duhen bërë. Maqedonia e Veriut ka bërë shumë sa i përket hapjes së negociatave deri te ndryshimi i emrit. Edhe Shqipëria ka bërë progres, por nuk na ka bindur që të marrim një vendim unanim sa i përket kësaj të fundit.”

E presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, u ka bërë thirrje këtyre dy vendeve që të mos dorëzohen, pasi, sipas tij, ato kanë bërë punën e tyre.

E presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Junker tha të jetë i zhgënjyer në lidhje me rezultatet.