Serbia lobon edhe te shtetet që herën e fundit votuan pro Kosovës në Interpol

9
SHARE

Delegacioni shtetëror i Kosovës për Interpolin, potencialisht po shkon në udhëtimin e tij të fundit zyrtar, megjithëse paraprakisht është paralajmëruar se gjasat për anëtarësim janë zero.

Në prag të Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit, që mbahet në Kili nga 15 deri më 18 tetor, ktv, bazuar në fjalët e një prej zëvendëskryeministrave, shkruan se Kosova nuk e ka të sigurt as mbështetjen e disa shteteve që e kanë njohur.

Me gjithë rekomandimet e shteteve si SHBA-ja, për tërheqje të kandidimit për ta shmangur një ‘dështim spektakular’ , për të kundërtën ka insistuar kryeministri Ramush Haradinaj.

Televizioni ka tentuar të vërë kontakt me zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Abdylselami Shkodra, por ky ka rekomanduar që pyetjet nëse do të realizohet udhëtimi drejt Kilit dhe për pritjet nga punimet e Asamblesë, t’i drejtohen Rejhane Vuniçit, zëvendësministre e Punëve të Jashtme, shkruan Koha.

Por, as Vuniçi, shefe e delegacionit dhe përgjegjëse për deklarime për media, nuk e ka marrë mundin të kthejë përgjigje.

Megjithatë, në Beograd, heshtja e Prishtinës lidhur me këtë proces është konsideruar strategji dhe, për këtë, sipas ministrit të Brendshëm, Nebojsha Stefanoviq, janë marrë masa.

Stefanoviq, medieve atje ua bëri të ditur se tashmë kanë ekipe në Kili, derisa paraprakisht lobimi ka vazhduar edhe te vendet që në asamblenë e kaluar kishin votuar në favor të Kosovës.

Përndryshe, faji për mosanëtarësimin e Kosovës në Interpol në vitin 2018 i mbeti lobimit serb, përfshirë këtu edhe praktika korruptive, që për kundërpërgjigje nga Kosova morën taksën 100% ndaj produkteve serbe, çka çoi në bllokimin e dialogut ndërmjet dy shteteve./Insajderi.com