Pse u fut në politikë Muhamet Hamiti?

20
SHARE

Ish-këshilltari i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova dhe ish-ambasadori Muhamet Hamiti ka treguar se pse i është rikthyer politikës dhe i është futur garës për deputetë në listën e LDK-së.

A erdhi ky vendim për shkak të trashëgimisë së familjes Hamiti apo ishte dëshirë personale e Muhamet Hamitit?

“Në një mënyrë të gjitha bashkë. Unë nga viti 2008 kur kam shkuar ambasador i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar nuk kam qenë pjesë aktive e politikës. Nuk kam vepruar brenda politikës aktive të LDK-së për arsye të kuptueshme”.

“Kam qenë katër vjet në Londër dhe pas kthimit nga Londra kam bërë punën që bëj edhe sot – profesor i letërsisë. Kam shkruar dhe botuar libra, një prej këtyre librave quhet “Besimi Letrar”. Jam i lidhur me besimin në këtë lidhje demokratike, formacionit të parë antikomunist në botën shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore”.

“Formacionit rreth strumbullarit të të cilit u ndërtua shteti i Kosovës i viteve të 90-ta që ishte po ashtu bazamenti mbi të cilin u bë ky shtet që e kemi edhe sot”.

Hamiti në Zona Zgjedhore të Klan Kosovës ka treguar më shumë detaje për vendimin e tij për t’u futur në garën për zgjedhjet e 6 tetorit.

“Kisha bërë këtë pauzë dhe këtë vit më herët kam marrë pjesë në zgjedhjet brenda LDK-së që është forca më demokratike në Kosovë. LDK bën zgjedhje që jo çdo herë të gjithëve u dukën më të mirat, por janë megjithatë më të mirat”.

“Aty kam hyrë dhe kam marrë edhe detyrën e anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së që është organ shumë i rëndësishëm i partisë. Është hera e tretë që bëhem anëtar i Këshillit të Përgjithshëm sepse kam qenë edhe në kohën kur lider ishte Ibrahim Rugova në vitin 2002 dhe në vitin 2006 kur ishte kryetar i partisë Fatmir Sejdiu”.