Kurti: Prioritet i qeverisjes së re do të jetë edukimi i hershëm

14
SHARE

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deklaroi se Kosova duhet të respektojë detyrimet që rrjedhin nga Konventa për të Drejtat e Njeriut dhe t’i ofrojë fëmijëve më shumë mundësi për edukim dhe mirëqenie.

“Fëmijës i duhet strehimi, kujdesi nga familja, shteti dhe komuniteti. Asnjë fëmijë nuk e meriton të mbetet pa kulm mbi kokë, e pa arsimim cilësor. Shteti duhet t’ia garantoj zhvillimin, mirëqenien dhe edukimin”, tha Kurti.

Postimi i tij:

Sot janë mbushur 60 vjet nga Deklarata për të Drejtat e Fëmijëve e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe 30 vjet nga Koventa për të Drejtat e Fëmijëve. Neni 6, pika 2, i kësaj të fundit, thotë: “Shtetet Palë, marrin të gjitha masat e mundshme për të siguruar mbijetesën dhe zhvillimin e fëmijës.” Këtë detyrim duhet ta respektojë edhe Kosova.

Fëmijës i duhet strehimi, kujdesi nga familja, shteti dhe komuniteti. Asnjë fëmijë nuk e meriton të mbetet pa kulm mbi kokë, e pa arsimim cilësor. Shteti duhet t’ia garantoj zhvillimin, mirëqenien dhe edukimin.

As 5% e fëmijëve të moshës nën 5 vjeç në Kosovë nuk janë të përfshirë në edukimin parashkollor. Edukimi i fëmijëve është e drejtë Kushtetuese. Çerdhet nuk janë luks por nevojë. Ato janë e drejtë e garantuar për të gjithë fëmijët, pa dallim gjinie, etnie, prejardhjeje apo besimi fetar.

Prioritet i qeverisjes së re do të jetë edukimi i hershëm. Sa më shumë ngritje të cilësisë nëpër çerdhe e shkolla aq më pak fëmijë në rrugët e qytetit që punojnë për mbijetesë ose kërkojnë lëmoshë. Kemi aq shumë papunësi në Kosovë ndërkaq çdo i dhjeti fëmijë punon!

Sot, më 20 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, dhe në çdo ditë tjetër që vjen, le të angazhohemi të gjithë së bashku që vizioni i shtetit tonë demokratik e social, të drejtë e zhvillimor, të realizohet nën buzëqeshjen e të gjithë fëmijëve të Kosovës.