Kosovës e Serbisë u kujtohet se s’mund të hyjnë në BE pa bërë paqe

12
SHARE

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet t’i zgjidhin problemet para se të jenë pjesë e Bashkimit Evropian.

Pa zgjidhjen e problemeve mes vete, Kosova dhe Serbia nuk do të mund të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian.

Kështu ka thënë për “Tanjug”, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas.

Schinas në këtë intervistë është pyetur edhe për taksën që Kosova i ka vendosur Serbisë.

Sipas tij, qëndrimi i BE-së në lidhje me taksën është i qartë dhe se kjo taksë sipas tij, është sinjal që nuk mbështet progresin e Kosovës në rrugën evropiane.

“Unë mendoj se mesazhi jonë ka qenë i qartë dhe ne do të vazhdojmë të paraqesim qëndrimin tonë”, u përgjigj Schinas, pasi u pyet nëse BE-ja ka autoritet të mjaftueshëm mbi Kosovën për të rënë dakord të heqë taksën.

Në këtë intervistë, zëdhënësi i KE-së, Schinas, nuk është përgjigjur në pyetjen nëse vazhdimi i dialogut midis Serbisë dhe Kosovës mund të pritet deri në mbarimin e mandatit të Komisionit Evropian, përcjell lajmi.net.

Schinas tha se, është e nevojshme që të gjitha problemet të diskutohen para hyrjes në BE, pasi që sipas tij, zgjidhja e problemeve mes dy palëve është shumë e nevojshme dhe se problemet e tilla nuk duhet të importohen në BE.

“Problemet dypalëshe nuk duhet të importohen në BE. Është e domosdoshme që procesi i dialogut të vazhdojë”, theksoi ai.