Jeton Kelmendi krahason PDK-në me dillierin e fuqishëm të drogës, Pablo Eskobar

16
SHARE

Eksperti i Politikave Ndërkombëtare dhe Marrëdhënieve të Sigurisë, profesor Jeton Kelmendi, ka thënë se Kadri Veseli dhe partia e ‘Thaçëve’ i ka humbur të gjitha arsyet për të kërkuar votën tek qytetarët.

“Së fundmi ka vendosur që kjo parti kryesisht të thirret tek luftimi i korrupsionit, një fenomen i cili është shumë i tmerrshëm për të ardhmen e këtij populli, në ndërkohë që pikërisht korrupsioni është produkti kryesor i PDK-së. Edhe subjektet e tjera janë të përlyera me korrupsion, por, sidomos PDK, pasi gati të gjithë njerëzit e saj ose janë të akuzuar, ose janë të dyshohet që janë përfshirë në afera korruptive. Pra me çdo parim, ndërkombëtarisht njihet me ligj që çdo njeri i cili bën keq, në një moment vendos të mos bëjë më keq, llogaritet si pozitiv, këtë parim e ka pasur edhe Pablo Eskobar, i cili i njohur si një diller i fuqishëm i drogës, pasi kishte thënë se ai do t’i luftonte”, ka thënë profesor Kelmendi.

Sipas tij, këtu ekziston një gjë, do të mjaftonte që PDK-ja njerëzit e saj t’i largonte nga korrupsioni, dhe Kosova do të ndryshonte shumë.

“Nëse PDK-ja do të bënte një veprim të tillë ndoshta do të ndryshonte vendi, por ec e besoj Kadri Veselit dhe njerëzve të tij, pasi që deri sot çdo gjë e kanë ndërtuar mbi korrupsionin, nepotizmin, keqpërdorimit. Dhe natyrisht se kjo është e vështirë të arrihet pasi që për keqpërdorime të tilla, ka dyshime të fuqishme edhe për vetë kreun e PDK-së, në këtë drejtim, ai duhet ta largojë veten së pari”, ka thënë profesor Kelmendi.

Ai konsideron se në Kosovë është krijuar një praktik tepër e keqe, pasi njerëzit mbahen, vetëm me korrupsion, punësim tenderësh, e gjëra tjera të jashtëligjshme.

“Shpresat nuk janë shumë të mëdha kësaj radhe, dhe Kosova do të qeveriset nga koalicioni LDK-VV, megjithëse, dorën në zemër, kam dyshime të mëdha edhe tek këto dy subjekte, sidomos me prurjet e tyre të reja. Fushatat parazgjedhore po i shfrytëzojnë për interesat e tyre personale, por edhe për liderët e tyre, sidomos debatet televizive të cilat po i ndjekim, po shohim se si po kemi akuza të ndërsjella me shifra konkrete”, ka thënë profesor Kelmendi.