Fuqia e koalicionit LDK-Vetëvendosje ”dridh” PANhajninë

33
SHARE

Avancimi i bashkëpunimit ndërmjet Lëvizjes Vetëvendsoje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka ngjallur reagime të shumta nga përfaqësuesit e koalicionit të deritashëm qeverisës. Akuza e kundër akuza po zhvillohen në rrjetet sociale, ndërmjet zyrtarëve të koalicionit PAN dhe atyre të dy partive opozitare, që po synojnë të thellojnë bashkëpunimin para dhe pas zgjedhjeve.

Kjo po konsiderohet edhe si një moment kritike për partitë që ishin deri më sot në qeverisje e që i sollën vendit shumë dëm, për shkak të keqpërdorimeve.

Millaku: Fitorja e një koalicioni LVV-LDK, do të ishte çlirim i vërtetë i Kosovës

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka thënë se mjafton të shihen reagimet e krerëve të PDK-së dhe të vihet në konstatim se këta janë në panik të humbjes së pushtetit e me këtë rast edhe humbjes të mirave personale që i ka sjell ky pushtet.

“Këtë e dinë shumë mirë se koalicioni parazgjedhor LVV dhe LDK, është fundi i tyre, dhe fundi i partisë së tyre. Dhe nëse njëherë do të jenë në opozitë, atëherë nuk do të kenë më rastin asnjëherë të kalojnë në pushtet. Po e potencojë edhe një herë se fitorja e një koalicioni LVV-LDK, do të ishte çlirim i vërtetë i Kosovës”, ka thënë deputetja Millaku.

Rrahmani: Takimi Musfata – Kurti është brenda përgjegjësive që kanë dy liderët opozitar

Ndërsa, deputeti LDK-së Imet Rrahmani, ka pohuar se shkuarja në opozitë për çdo parti është rast i mirë i reformimit, riorganizimit dhe hapjes për njerëz të ri, pse kështu t ‘mos jetë edhe për PDK-në.

“Unë nuk mendoj se do të shkatërrohet një parti me shkuarjen në opozitë, por se sa do të qëndroj atje, varet nga trashëgimia nga qeverisja dhe nga reflektimi për tu ndryshuar. Nëse një takim krejt normal i dy liderëve të partive më të mëdha opozitare, ka shkaktuar një reagim të shfrenuar të PDK-së, atëherë mund të themi se e kanë vështirë të këndellen shpejt, sepse ende nuk e kanë kuptuar se ku janë katandisur. Prandaj hapi i parë është të kuptojnë realitetin, e pastaj të tjerat më lehtë përballohen. Sidoqoftë, takimi i Kryetarit Mustafa me Kurtin është një diçka krejt normale, bile do të ishte shumë më keq, nëse fare nuk ishin takuar në rrethanat politike aktuale. Vet takimi është brenda përgjegjësive që kanë dy liderët opozitar”, ka thënë deputeti Imet Rrahmani.

Shahu: PDK-ja mendon e sigurt se VV-sje do ta përçajë e shfrytëzojë LDK-në më keq, sa e ka shfrytëzuar PDK

Kurse, analisti politik Rexhep Shahu, nuk mendon se PDK-ja bie aq kollaj në panik, pasi ajo ka pushtet, ka presidentin, ka disa komuna, ka pasuri, dhe ka komandantë, me një fjalë ka rrënjë të thella në gjithë partitë e Kosovës.

“PDK-ja ndër këto vite ka pasur pushtet të pakufishëm, ka pasur dhe ka njerëzit e saj në shërbimet dhe agjencitë e ndryshme të shtetit të Kosovës. Andaj PDK-ja lutet që ta kapë euforia LDK-në dhe të martohet me VV-sje me marrëveshje para elektorale. PDK-ja mendon e sigurt se VV-sje do ta përçajë e shfrytëzojë LDK-në më keq, sa e ka shfrytëzuar PDK”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

Burjani: PDK-ja, nuk ka panik por i tërë PAN-i, janë në gjendje kritike

Kurse, njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani, ka thënë se PDK-ja, nuk ka panik por i tërë PAN-i, janë në gjendje kritike.

“Nëse bëhet një koalicion i fuqishëm parazgjedhor LDK dhe VV, pjesa akademike e biznesit, duhet të bëhen bashkë për të hequr njerëz që fshihen prapa partive për të bërë biznes me paratë të popullit dhe që i kanë bërë dëme të mëdha buxhetit e shtetit, me përfitime pa bazë, e më benificione të shumta”, ka thënë njohësi e çështjeve juridike Blerim Burjani.

Bojaj: Partia e cila sundon aktualisht në Kosovë është në frikë e panik të madh

Kurse, analisti politik Ramiz Bojaj, ka thënë se në rrethana normale dhe në kushtet e mirëfillta demokratike, rrotacioni politik, pozitë-opozitë nuk do duhej të shoqërohej me tone frike e paniku.

“Vrazhdësia e shprehur e PDK-së, pas ri konsolidimit të opozitës, sidomos pas takimit të krerëve të VV-së e LDK-së për një bashkëpunim të ngushtë ose edhe koalicion, tregon se partia e cila sundon aktualisht në Kosovë është në frikë e panik të madh. Kjo për faktin se PDK është e përshkruar si parti e kultivimit të egërsisë dhe e militantizmit politik, pas të cilave ka rrjedhur edhe shkatërrimi i shtetit, kapja e zhvatja e segmentëve më vitale e qenësore, keqpërdorimi i paskrupullt i pushtetit, kapja e sistemit të drejtësisë, resorëve ekonomikë, arsimorë etj., duke e sjellë Republikën e Kosovës para kolapsit total. PDK-ja më shumë është e frikësuar nga shkapja e strukturave të veta kriminale të cilat e kanë kapur shtetin, sesa nga të qëndruarit në opozitë, pasi kjo parti tashmë është shpërfaqur e vet demaskuar”, ka thënë analisti politik Bojaj.

Sipas tij, PDK-ja është në panik edhe nga demaskimi i planeve serbe të udhëhequra nga presidenti shumë vjeçar i kësaj partie Hashim Thaçi, i cili, jo vetëm që ka ndihmuar kapjen e zhvatjen e shtetin nga strukturat mafioze të kësaj partie, por ka cenuar drejtpërdrejt edhe integritetin territorial e sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës.

“PDK-ja është alfa dhe omega e krimit të organizuar në vendin tonë, e krimit politik e ekonomik. Thjeshtë PDK është klan i madh i një bande hajdutësh, të cilët nuk lanë gjë të keqe pa i bërë këtij vendi. Të grumbulluar rreth një strumbullari grabitësish, PDK-ja mban vulën e krimit politik të Kosovës, të vjedhjes, mashtrimit, grabitjes, falsifikimi. Andaj largimi nga pushteti për PDK-në do të thotë vdekje e saj, e ku banda mafioze e “Prontos” nuk do të pajtohet lehtë. PDK duhet të reformohet rrënjësisht ose të shpartallohet, sepse Kosova ka përjetuar rrënimin e madh nën sundimin e strukturave të egra të kësaj partie. Thjeshtë shteti u konsiderua si një plaçkë lufte, e cila u trajtua si pronë private e “Prontos”, e cila u vodh, u grabit, u varfërua e u zvogëlua dukshëm nën pushtetin e këtij klani të kotillës më të keqe qe kemi pasur ne si shoqëri”, ka thënë Bojaj.

Ai konsideron se largimi nga skena politike e kësaj klase është shpëtim për Kosovën, jo vetëm që shteti të rikthehet në binarët e normalitetit, por edhe vendi të shpëtojë nga copëtimi.

“Sot është akt i lartë etik qe të pamoralshmit, hajvanët, kusarët, kurvarët e kriminelët e “Prontos” të dëbohen nga pushteti, e më të cilët duhet të merret drejtësia. Lufta kundër krimit të organizuar duhet të jetë e pa kompromis, në mënyrë që drejtësia të triumfojë në fund. Ndryshe Kosova nuk do të ketë shpëtim, sepse klanet e egra, hajdutët e mafiozët nuk njohin kufij dhe këta nuk do të ndalën kurrë, nëse nuk i ndalim ne”, ka thënë analisti politik Ramiz Bojaj.