Fillimi dhe fundit i Hashim Thaçit

80
SHARE

Ambasadat kërkojnë përgjegjësi për rastin e dëbimit të shtetasve turq
Kanë kaluar afro një vit që kur Kosova dëboi gjashtë shtetas turq për në Turqi, nën dyshimin se ata paraqisnin kërcënim për sigurinë kombëtare në Kosovë.

Tani, Ambasada amerikane dhe ajo britanike në Kosovë, kanë shprehur shqetësim dhe ka kërkuar përgjegjësi për rastin e dëbimit të shtetasve turq.

“Ne u bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që të sigurojnë përgjegjësi të plotë për këdo që shkel ligjin dhe rikujtojmë liderët e Kosovës që institucionet e sigurisë duhet të veprojnë vetëm brenda autoritetit kushtetues, në varësi të sundimit të ligjit. Nuk kemi të bëjmë me fajësinë apo pafajësinë e individëve, por shmangie të qartë të proceseve ligjore të Kosovës nga ana e politikanëve të Kosovës. Presioni politik në sektorin e sigurisë për të thyer ligjin e Kosovës është një shkelje skandaloze e vlerave demokratike. Ne nxisim për transparencë të plotë në sektorin e sigurisë dhe në drejtimin e punëve të jashtme, për të parandaluar ndërhyrjet e pavenda nga politikanët kosovarë në të ardhmen”, thuhet ndër të tjera në komunikatën për media të Ambasadës Amerikane.

Gashi: Diktatori Erdogan ka falënderuar publikisht Hashim Thaçin për dëbimin e paligjshëm të këtyre shtetasve turq

Lidhur me rastin e shtetasve turq, reagimet e Ambasadave dhe rrezikimin e raporteve të Kosovës me këto dy shtete, avokati Tomë Gashi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se reagimi ka ardhur për shkak të raportit të Komisionit për shkeljet ligjore.

“Reagimi i Ambasadave amerikane, britanike dhe gjermane lidhur me dëbimin e pa ligjshëm të 6 shtetasve turq në mars të viti të kaluar edhe pse shumë i vonuar erdhi si pasojë e publikimit të raportit të Komisionit të Parlamentit të Kosovës në të cilin raport janë gjetur 31 shkelje të rënda ligjore. Dhe anëtarët e këtij komisioni në krye me Xhelal Sveçla, Anton Quni, Driton Selmani dhe të tjerët angazhuan ekspertin amerikan, Tienmu i cili në raport të shkruar në mbi 74 faqe i sqaroi të gjitha procedurat dhe të gjithë të implikuarit në këtë skandal të shtetit të Kosovës dhe për të cilin askush deri më tani nuk ka dhënë asnjë përgjegjësi’, është shprehur ai.

Gashi thotë se në errësirë të plotë për këtë çështje u la kryeministri Haradinaj, ndërsa që Komisioni nuk arriti ta marrë në pyetje presidentin Thaçi.

“Dihet se në këtë çështje ishte lënë krejtësisht anash i pa informuar fare dhe në errësirë të plotë kryeministrit Ramush Haradinaj të cilit akterët e këtij skandali nuk i kanë besuar, dhe për këtë arsye ai shkarkoi nga detyra ministrin e punëve të brendshme Flamur Sefaj dhe atë të AKI-së, Driton Gashi. Komisioni nuk ka arritur që të marrë në pyetje kryetarin e Kosovës Hashim Thaçi edhe pse ai ishte ftuar 3 herë dhe për këtë arsye nuk dihet se çka ai do të deklaronte lidhur me këtë çështje kaq të rëndë”, ka vlerësuar avokati Gashi.

Sipas tij, ambasada kërkoi që politika të mos ndërhyjë në punët e institucioneve të pavarura dhe se raporti i është dërguar Prokurorisë Speciale për të identifikuar përgjegjësit.

“Tani ambasadat e kanë bërë të qartë kërkesën që politika të mos ndërhyjë në punët e institucioneve të pavarura dhe mjerisht ky komision u shua në mënyrë të paarsyeshme duke mos ju lejuar që të dërgojë raportin për vitin në parlament të Kosovës. Dhe tani dihet që ky raport i është dërguar edhe Prokurorisë Speciale të Kosovës për të identifikuar përgjegjësit dhe për të ndjekur penalisht të gjithë ata të implikuar në këtë skandal tepër të rëndë për Kosovën”, ka thënë Tomë Gashi për “Bota sot”.

Avokati përmend dhe falënderimin e Erdogan ndaj presidentit Thaçi për dëbimin e shtetasve turq, derisa shton se nuk është fillimi i fundit të presidentit.

“Kjo është porosia e reagimit të ambasadave për këtë çështje ndërsa dihet se presidenti apo më mirë të themi diktatori Erdogan ka falënderuar publikisht Hashim Thaçin për dëbimin e paligjshëm të këtyre shtetasve turq për arsye krejtësisht politike. Nuk besoj se ky është fillimi i fundit politik të presidentit Thaçin sepse ka dëshmuar që ai ka fuqi më të madhe politike në PDK edhe pse si president do të duhej të ishte sinonim i bashkimit të popullit, gjë që nuk është vërtetuar deri më tani”, ka deklaruar Tomë Gashi për “Bota sot”.