Dështon Molliqaj në “betejën” me Konjufcën, faktet e tij qesharake po ia përmbyllin karrierën politike

89
SHARE

Ishin shokë dhe kolegë të ngushtë sa ishin bashkë në Lëvizjen Vetëvendosje, por pas ndarjes të këtij subjekti politik, u ndanë edhe Glauk Konjufca dhe Dardan Molliqaj. Të dytë i kanë shpallur njëri-tjetrit një luftë për “gjunjëzim”. Madje, akuzat dhe kundër akuzat erdhën deri në një pikë kur Molliqaj e akuzoi Konjufcën se ishte anëtar i SHIK-ut, shkruan “Bota sot”.

Ndonëse nuk ka asnjë fakt apo dokument, Molliqaj po e akuzon Glauk Konjufcën se ka qenë pjesë e SHIK-ut në të kaluarën, gjë që Konjufca po e mohon kategorikisht.

Në “faktet” e tij, deputeti i PSD-së tha se, Glauk Konjufca kishte qëndruar në SHIK përgjatë periudhës kohore 2000 – 2001, ndërkohë kishte marrë pagë mujore prej 150 markash. Pavarësisht këtyre akuzave në drejtim të tij, Konjufca nuk replikoi fare gjatë seancës të së premtes.

Por, megjithëkëtë shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së nuk la pa reaguar jashtë seancës, me ç’rast mohoi në plotësi të gjitha pretendimet e Molliqajt, të cilat e bëjnë Konjufcën pjesëtar të SHIK-ut. Për të njëjtën çështje reaguan edhe zyrtarë të tjerë të LVV-së, të cilët kërkuar dorëheqjen e ish-bashkë partiakut të tyre nga pozita e deputetit.

Mohimi i Fadil Lepajës

Duke folur për Konjufcën, Dardan Molliqaj ka thënë se Fadil Lepaja ishte ai i cili e kishte rekrutuar atë në këtë organizatë.

Mirëpo, një informatë të tillë e ka hedhur poshtë menjëherë Fadil Lepaja. Në një reagim kundrejt Molliqajt, Lepaja ka thënë se ai personalisht asnjëherë nuk ka qenë pjesë e SHIK-ut.

“Me përgjegjësi të plotë penale dhe morale deklaroj se kurrë në jetën time nuk kam qenë pjesëtar as bashkëpunëtor, me vetëdije e besoj as pa vetëdije, i Shërbimit Informativ të Kosovës. Më vjen keq që emri im qenka keqpërdorur në debate”, ka deklaruar Lepaja.

Zogiani: Molliqaj po me duket si një specie e plagosur që bërtet

Zyrtari i Vetëvendosjes, Avni Zogiani, nuk ka dashur ta komentojë gjatë këtë çështje. Ai për “Bota sot” ka thënë shkurt se, “Tash Molliqaj po më duket si një specie e plagosur që bërtet”, duke u mbështetur te deklarata demantuese e Lepajës.

“Kjo s’ka çfarë të komentohet. Ai tha që dëshmitari është Fadil Lepaja, e Fadili tha po gënjen. Tash Molliqaj po me duket si një specie e plagosur qëbërtet, asgjë më shumë”, ka potencuar shkurt Zogiani.

Miftari: Glauk Konjufca kurrë nuk ka qenë pjesë e SHIK-ut

Lidhur me këto akuza, për “Bota sot” ka folur ish anëtari i SHIK-ut, Naim Miftari, i cili mohon se Glauk Konjuca të ketë qenë ndonjëherë anëtar i SHIK-ut. Ai thotë se SHIK-u u keqpërdorë nga kryesia e tij.

“Glauk Konjufca kurrë nuk ka qenë pjesë e SHIK-ut. SHIK-un e kishin nën kontroll Hashim Thaçi, Veseli, Haliti e nja 3-4 persona tjerë, e të cilët e keqpërdorën SHIK-un dhe u bënë milionerë nga ky shërbim. 90% e anëtarëve të SHIK-ut ishin njerëz të mirë, por kryesia e këtij shërbimi e keqpërdori këtë. D.m.th, nuk do të thotë të jesh person i keq nëse ke qenë në SHIK”, thotë ai.

Miftari mendon se deklarata e Molliqajt ishte skenar i kahmotshëm dhe gjithashtu një debat televiziv ndërmjet XhavitHalitit dhe Dardan Molliqajt, ku ky i fundit e quan kriminel Halitin, është vetëm një skenar mirë i organizuar nga ata të dy, që Molliqaj të fitonte vota te populli.

“Deklarata e Molliqajt është skenar dhe organizim i kahmotshëm. Nëse ju kujtohet një debat televiziv ndërmjet XhavitHalitit dhe Dardan Molliqajt, ku ky i fundit e quan kriminel Halitin, është vetëm një skenar mirë i organizuar nga ata të dy, që Molliqaj të fitonte vota te populli. Pse asnjëherë Molliqaj nuk u burgos për organizimet e tij nëpër protesta, ku ai organizonte së bashku me disa persona tjerë sulme ndaj policëve me gurë, nxirrte persona zyrtarë nga vetura, njëjtë si një gangster”, ka theksuar Miftari për “Bota sot”.

Islami: Molliqaj është duke bashkëpunuar ngushtë me Kadri Veselin

Ndërsa, publicisti Gazmend Islami, në një prononcim për gazetën “Bota sot” mendon se Molliqaj është duke bashkëpunuar ngushtë me Kadri Veselin.

Në këtë situatë, Islami mendon se Molliqaj do të duhej të jepte dorëheqje, pas demantimit nga Fadil Lepaja.

“Prej se janë ndarë nga Vetëvendosja, shihet qartazi se Dardan Molliqaj është duke bashkëpunuar ngushtë me Kadri Veselin, gjegjësisht me ish shefin e SHIK-ut. Nëse dikush duhet të akuzohet se ka qenë pjesë e SHIK-ut, atëherë duhet të jetë vetë Molliqaj. Faktet e tij qesharake karshi ish partikakëve të tij, për të ulur kredibilitetin e tyre nuk është gjë tjetër veçse një deputet i pa moralshëm, një deputet i pavlerë, i cili po ti kishte këto të dyja, do të jepte menjëherë dorëheqje nga politika pas deklaratës apo më mirë të themi demantimit të Fadil Lepajës”, ka thënë ai.

Islami e përshkruan Molliqajn si një njeri i maskuar, që punoi ta shkatërrojë Vetëvendosjen. Ai thekson se Molliqaj nuk ka të ardhme politike.

“Është e mjerë dhe e dhimbshme se si mund të përpunohet një njeri i cili për shumë vite nën maskën e tij prej një opozitari, ka ditur të depërtoj dhe është munduar ta arrijë qëllimin për ta shkatërruar një subjekt politik i cili është ndërtuar me mund dhe djersë. Jam shumë i bindur se Molliqaj nuk ka të ardhme politike, për shkak se qytetarët shumë shpejt do ta kuptojnë që ai është një strombullardhe është një opozitar që punon nën hijen e një strukture kriminale, si SHIK-u dhe shefi i saj”, thekson ai.

Krasniqi: Soji i Dardanit dhe qindra të tjerëve që Kosovën e kanë bërë vend të pa jetueshëm

E analisti politik, Faik Krasniqi i hedh poshtë spekulimet e Molliqajt, pasi thotë se ai nuk ofroi asnjë argument për atë që e thotë.

“Dardan Molliqaj tentoi të bëhet zbulues i ujit të nxehtë, me gjoja zbulimin që Glauk Konjufca na paska qenë pjesëtar i SHIK-ut. Por nuk i ndezi, sepse nuk ofroi asnjë argument përveç disa llafeve të rrugëve. Dardan Molliqaj, je në Kuvend për hallet e qytetarëve (gjë që s’të bëhet vonë fare), apo për të na treguar përralla se kush na paska qenë pjesë e SHIK-ut? Me këto gjëra nuk merren as Parlamentet e shteteve të fuqishme, sepse ka kush të merret”, është shprehur ai.

Krasniqi tutje shton se soji i Molliqajt duhet të dënohen me ligj, për arsye qe e kanë bërë Kosovën vend të pajetueshëm.

“Kosova megjithatë e ka këtë luks, pavarësisht që ekonominë, shëndetësinë, arsimin dhe drejtësinë e kemi përtokë. Ky vend po zbrazet dhe ai merret akoma me përralla. Kjo tregon se çfarë njerëz kemi në Parlament dhe Qeveri të Kosovës. Në shtetet normale shpifjet e tilla dënohen me ligj. Soji i Dardanit dhe qindra të tjerëve që Kosovën e kanë bërë vend të pa jetueshëm!”, është shprehur ai.